DIPLOMIMI
Në përfundim të kursit të plotë të studimeve studenti ka të drejtë të diplomohet për të fituar titullin përkatës. Diplomimi bëhet me përgatitjen dhe mbrojtjen e një punimi diplome. Procedurat e hollësishme, në lidhje me diplomimin në mënyrat e sipërpërmendura, përcaktohen me rregulloren e Fakulteteve dhe të secilës prej degëve të SHPAL “Pavarësia”, Vlorë. Përcaktimet në rregullore bëhen duke u mbështetur në fushat e studimit, që mbulojnë departamentet dhe specifikat e secilit program studimi dhe dege. Studenti nuk mund të mbrojë diplomën pa shlyer të gjitha detyrimet akademike të cikleve të studimit. Studenti, që merr notë jokaluese në sezonin e parë të mbrojtjes së diplomës me temë diplome, ka të drejtë të paraqitet për mbrojtje në sezonin e ardhshëm. Studenti ka të drejtë të hyjë 2 (dy) herë në mbrojtjen e diplomës. Në rast se edhe pas herës së dytë rezulton mbetës, studenti duhet të ndryshojë temën dhe të paraqesë një punim të ri diplome. Ndërkohë, në rast nevoje dhe me kërkesën e studentit, kur ai ka shlyer të gjitha detyrimet, përjashtuar mbrojtjen e temës së diplomës, ose shlyerjen e provimit formues, mund të pajiset nga SHPAL “Pavarësia” me një dëshmi si "I padiplomuar ende" dhe me çertifikatën e notave. Diplomimi i studentëve të nivelit të parë të studimit bëhet pas përfundimit të sezonit të rregullt të provimeve dhe pas përfundimit të sezonit të provimeve të mbartura, të përcaktuara sipas kalendarit akademik. Diplomimi për studentët e nivelit Master, mbrojtja e punimit të diplomës dhe diplomimi i tyre bëhet me mbarimin e plotë të ciklit të studimeve, në sezonet e përcaktuara sipas kalendarit akademik. Studentit të çdo cikli studimi i lejohet të mbrojë punimin e diplomës, vetëm pasi të ketë fituar të gjitha kreditet e nevojshme.
Diplomat Bachelor, Master Shkencor e Master Profesional shoqërohen me Suplementin e “Shtesën” e Diplomës. Studenti, që ka plotësuar të gjitha kërkesat e planit mësimor dhe ka mbrojtur diplomën pajiset me suplementin përkatës.
Tërheqja e diplomës bëhet nga vetë i diplomuari, kundrejt nënshkrimit dhe evidentohet në rregjistrin përkatës. Nëse prania e të diplomuarit është objektivisht e pamundur, tërheqja e diplomës mund të bëhet nga një person i pajisur me prokurë të posaçme, duke paraqitur dhe kartën e identitetit ose pasaportën e tij. Nëse diploma nuk është plotësuar në rregull, i interesuari nuk duhet t’a tërheqë atë dhe të kërkojë pajisjen me diplomë të rregullt. Nëse i interesuari e tërheq diplomën e parregullt, në rast se i humbet ose i dëmtohet dhe bëhet e papërdorshme, Universiteti nuk lëshon dublikatë. Për raste tepër të veçanta lejohet vetëm dhënia e listës së notave të fituara dhe vërtetimi me fotografi, i cili është ekuivalent me diplomën, pasi të nënshkruhet nga Përgjegjësi i Sekretarisë Qëndrore, Dekani i Fakultetit dhe Rektori i SHPAL PV. Nënshkrimi i Rektorit shoqërohet me vulën e KUPV-se.
Dorëzimi i diplomave bëhet me ceremoni në Ditën Akademike të SHPAL PV. Dita Akademike përcaktohet me vendim te Senatit Akademik. Në ceremoninë e dorëzimit të diplomave marrin pjesë studentë, drejtues të fakultetit si dhe përfaqësues nga Institucioni.. Për studentët, që kanë përfunduar studimet me të gjitha notat dhjeta jepet çertifikata "Medalje e Artë". Për studentët, që gjatë studimeve kanë marrë mbi 80% të notave 10 (dhjeta) dhe pjesën tjetër vetëm 9 (nënta), jepet çertifikata "Student i Shkëlqyer”.