Më datë 24 Maj 2018, në ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës, Zyra Kombëtare Erasmus + në bashkëpunim me ekspertët Erasmus+ për Reformat në Arsimin e Lartë (HERE) organizoi seminarin kombëtar me temë “Zgjerimi i rolit të studentëve në manaxhimin dhe qeverisjen e IAL-ve”.
Në këtë aktivitet ishin prezentë përfaqësues të institucioneve të ndryshëm të Arsimit Publik dhe atij jo Publik, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, gjithashtu ekspertë të jashtëm. Në këtë seminar morën pjesë, Kryetari i NJBSC të Kolegjit Universitar “Pavarësia Vlorë”, Përgjegjësi i Zyrës së Karrierës, Tutoriatit Studentor&Alumni dhe përfaqësues të stafit akademik.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte rritja e përfshirjes së studentëve në organet vendimarrëse të Institucioneve të Arsimit të Lartë, pasi është shumë e rëndësishme të dëgjohet zëri i tyre.
Gjatë këtij aktiviteti u evidentuan problematikat aktuale përsa i përket këshillave studentore, pasi për shkak të mungesës të akteve ligjore të institucioneve të ndryshme, nuk ka qenë e mundur zhvillimi i zgjedhjeve studentore.