Vizitë mësimore në Zyrën Rajonale të Punës Vlorë

  • 26 Qershor 2020

Në datë 17.12.2019 në kuadër të aktiviteteve studentore kurrikulare të parashikuara për vitin akademik 2019-2020, të propozuara nga Departamenti i Ekonomisë, ky Department në bashkëpunim me Departamentin e Drejtësisë dhe Shkencave Politike, studentë të programit Ekonomi, Drejtësi dhe Shkenca Politike, të shoqëruar nga pedagoget PhD (c) Blerina Drami dhe MSc. Briseida Cakërri, zhvilluan një vizitë mësimore në Zyrën Rajonale të Punës Vlorë.

Kjo vizitë kishte si objektiv lehtësimin e hyrjes së të rinjëve në tregun e punës, duke u ndalur konkretisht në formalizimin e njohurive, njohjen më të thellë të tregut të punës, dhe në veçanti me profesionet më të kërkuara, gjithashtu duke forcuar rolin e tyre si pjesëmarrës në tregun e punës.

Gjatë takimit me specialistë të Zyrës së Punës studentët u informuan në lidhje me programet e nxitjes së punësimit, ku studentët ishin më të fokusuar në praktikat që mund të zhvillojnë pas përfundimit të studimeve të ciklit Bachelor apo Master, dhe se si mund të regjistrohen për të përfituar këtë shërbim.

U diskutua mbi trendet e kurseve profesionale, kurset e reja të hapura në bazë të kërkesave të tregut të punës dhe se si studentët mund të certifikohen për aftësi që aktualisht zotërojnë.
Gjatë diskutimeve studentët u shprehën të shqetësuar dhe në lidhje me vlerësimin monetar të punës që mund të kryejnë, nënshkrimin e kontratave të rregullta të punës, intervistat e punës etj.

Studentët u informuan gjithashtu në lidhje me politikat që ndiqen për emigrantët e kthyer dhe përfshirjen e tyre sërish në tregun e punës dhe ndanë eksperiencat e tyre të punës.

Aktiviteti u mbyll me regjistrimin e disa studentëve në Zyrën Rajonale të Punës, të cilët në përfundim të studimeve të tyre, të kenë mundësi të përfitojnë nga programet e praktikës.