Rektori

  • E enjte 11 Qershor, 2020

Jetëshkrimi profesional i rektorit të Kolegjit Universitar “Pavarësia Vlorë”, Prof. Dr. Luan Gjonçaj

Rektori i Kolegjit Universitar “Pavarësia Vlorë” ka një jetë të pasur akademike, të filluar herët dhe të vijuar me të njëjtën energji.

Prof. Dr. Luan Gjonçaj ka ushtruar në karrierën e tij të gjatë detyrën e pedagogut dhe të drejtuesit akademik në shumë institucione të arsimit të lartë.

Z. Gjonçaj ka fituar një sërë gradash shkencore nga viti 1983 e këtej, si “Kandidat i shkencave juridike”, “Doktor i shkencave”, dhe titullin “Docent”; në vitin 1999 ka fituar titullin “Profesor”.

Ai ka mbajtur poste të rëndësishme në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në diplomaci, dhe në Ministrinë e Drejtësisë, si drejtor në Policinë e Burgjeve, etj.

Karrierën akademike e ka nisur si pedagog, dhe më pas ka kryer detyrën e drejtorit të Akademisë së Policisë. Nga viti 2003 ka punuar si pedagog i Kriminologjisë dhe Penologjisë në Universitetin “Luarasi”. Në Universitetin Jopublik “Justiniani I” ka punuar si dekan i Fakultetit Juridik dhe më tutje si rektor. Emërimin si dekan i Fakultetit të Shkencave Shoqërore dhe Drejtësisë në Universitetin Amerikan të Tiranës e ka marrë në vitin 2011.

Prof. Dr. Luan Gjonçaj është emëruar rektor në SHPAL “Pavarësia” në korrik të vitit 2014. Ai vazhdon ta mbajë këtë post në Kolegjin Universitar “Pavarësia Vlorë”.

Z. Gjonçaj ka qenë për shumë vite anëtar i komisionit për dhënien e gradave dhe titujve shkencorë, e po ashtu anëtar i jashtëm i komisionit të akreditimit.

Fushë e veprimtarisë së tij intensive është dhe shkrimi i artikujve shkencorë, i teksteve mësimore dhe librave. Shumë prej artikujve shkencorë të shkruar nga ai janë botuar në revista me prestigj brenda dhe jashtë vendit. Emrin e z. Luan Gjonçaj e ndeshim si autor dhe bashkautor në shumë botime, të promovuara dhe në Kolegjin Universitar “Pavarësia Vlorë”.

Z. Gjonçaj njeh mirë disa gjuhë të huaja.