Fjala e Rektorit

  • E enjte 11 Qershor, 2020

Sfidat me të cilat ndeshet rinia në këtë shekull të ri kërkojnë përgatitje të lartë për përballimin e tyre. Shkollimi është një prej bazave kryesore për vënien e themeleve të forta në kërkimin e suksesit në jetë. Pa një arsimim të mjaftueshëm dhe cilësor, e vështirë që të përmbushen idealet e një të riu të sotëm.

T’i japësh dije studentit nuk do të thotë t’i kalosh mekanikisht atij një informacion të gjerë mbi një fushë. Përmes dijes i duhen ushqyer atij pasione, vizione, zotësi. Një i shkolluar mirë është siguri për një të ardhme më të mirë nesër, për të dhe për shoqërinë në të cilën ai jeton.

Cilësia mbi sasinë është raporti përcaktues në jetëgjatësinë dhe vërtetësinë e një institucioni të vërtetë arsimor. Cilësia në mësimdhënie i jep studentit më tepër se një diplomë.

Kështu, Kolegji Universitar “Pavarësia Vlorë”, i licensuar më datë 12. 03. 2009, me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 279, hyrë në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” nr. 41/2009, vjen në hapësirën universitare shqiptare e më gjerë, europiane, me një mision të qartë dhe me një identitet të mirëprojektuar.

Kolegji Universitar “Pavarësia Vlorë” ka hapur dyert me synimin që të jetë vendi ku formohen profesionalisht dhe vënë bazat e së ardhmes të gjithë ata studentë të cilët kërkojnë arsim cilësor.

Hapja e kolegjit tonë universitar në Vlorë kërkon ta shndërrojë këtë qytet nga një qendër e turizmit shqiptar dhe, modestisht, në një pikë tërheqëse për arsimim të lartë për të rinjtë e interesuar vërtet për dije. Kolegji Universitar “Pavarësia Vlorë” është dhe një vlerë e shtuar intelektuale, kulturore dhe qytetarie, për qytetin bregdetar në veçanti dhe për rajonin në përgjithësi.

Me Fakultetin e Ekonomisë dhe Shkencave Shoqërore dhe Fakultetin e Shkencave të Aplikuara, oferta e studimit e Kolegjit Universitar “Pavarësia Vlorë” paraqitet jo vetëm e pasur dhe e larmishme në fusha studimi dhe tituj diplomash, por është njëkohësisht dhe garantuese e zhvillimit profesional të studentëve dhe e punësimit të tyre nesër.

Kolegji ynë, si një institucion i arsimit të lartë që forcon proceset didaktike e formuese, përqendrohet dhe përfshihet në mënyrë të pareshtur në kërkimin shkencor dhe në nivele europiane. Kjo i shërben shndërrimit në një institucion thuajse kërkimor, i cili i plotëson standardet bashkëkohore ndërkombëtare të arsimit të lartë dhe i forcon ato. Krahas rritjes akademike të studentëve, vëmendja jonë nuk lë jashtë saj dhe përparimin akademik e shkencor të personelit mësimdhënës dhe të ekspertëve tanë, që nëpërmjet marrëveshjeve tona me partnerët europianë, e përgjithësisht ndërkombëtarë, ata të zhvillojnë e drejtojnë kërkime të mirëfillta shkencore, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Vlorës e rajonit.

Me urimet më të mira për një rrugëtim të suksesshëm së bashku, me një mirëseardhje të sinqertë, ju themi veç: ju mirëpresim!

 

Rektori:

Prof. Dr. Luan GJONÇAJ