Në kuadrin e javës europiane, Departamenti i Drejtësisë dhe Shkencave Politike dhe Departamenti i Ekonomisë, në bashkëpunim me Qendrën e Informimit të Bashkimit Europian, Vlorë, zhvilluan sesionin shkencor me temë : “Bashkimi Europian: Sfidë apo Perspektivë?” Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme të qytetit, të organizatave dhe shoqatave, si dhe qytetarë të ndryshëm. Aktiviteti u ndoq gjithashtu me shumë interes nga mësuesit dhe gjimnazistët e shkollave publike dhe jo publike të qytetit të Vlorës.
Znj. Besjana Roshi, në cilësinë e drejtueses së Qendrës së Informimit të Bashkimit Europian, paraqiti një panoramë të përgjithshme të funksionit të zyrës dhe të mundësive të shumta, që kjo zyrë ofron. Kumtesat e pedagogëve të Departamentit të Drejtësisë dhe Shkencave Politike dhe të Departamentit të Ekonomisë, evidentuan problematikat, që ka Shqipëria në rrugëtimin e saj europian si dhe sfidat, që duhen përballuar për përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe, për të bërë të mundur hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.
Në përfundim të Sesionit Shkencor, të gjithë të pranishmit patën mundësinë të diskutonin mbi temat e referuara.