Kolegji Universitar “Pavarësia Vlorë" (në vijim KUPV) është krijuar në bazë të Ligjit nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe është liçensuar me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 279, datë 12.03.2009 “Për dhënien e Lejes për Hapjen e Kolegjit Universitar “Pavarësia Vlorë”. Me Urdhër nr. 238, datë 30.04.2010 të ministrit të Arsimit dhe Shkencës është dhënë leja për ushtrimin e veprimtarisë akademike në përputhje me liçencat e dhëna për hapjen e programeve të studimit, si diplomë e nivelit të parë (DNP) në: 

a. Drejtësi

b. Ekonomi;

c. Shkenca Politike

d. Inxhinieri Informatike;

e. Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë (DIND) në Arkitekturë.

 

KUPV është liçensuar për hapjen e programeve të reja të studimit të ciklit të dytë, me Urdhër nr. 388, datë 10.08.2011 të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, bazuar në Vendimin nr. 149, datë 18.02.2011 të Këshillit të Akreditimit, “Për hapjen e programeve të reja të studimit “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” dhe fillimin e veprimtarisë akademike për këto programe”. 

Akreditimi i parë institucional i KUPV është bërë me Urdhër nr. 290, datë 09.07.2012 të ministrit të Arsimit dhe Shkencës “Për Akreditimin Institucional dhe të disa programeve të studimit të  Kolegjit Universitar “Pavarësia Vlorë”, bazuar në vendimin nr. 340, datë 08.06.2012 të këshillit të Akreditimit të arsimit të Lartë. Krahas akreditimit institucional, me këtë urdhër u akredituan edhe programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor” në :

a. Inxhinieri Informatike;

b. Ekonomi;

c. Drejtësi;

d. Shkenca Politike.

 

KUPV i hapi dyert për herë të parë në vitin akademik 2009-2010, me rekrutimin e studentëve nga pothuajse të gjitha trevat e jugut të vendit. 

Fillimisht KUPV ishte i përbërë nga dy njësi kryesore, si më poshtë: 

1- Fakulteti i Ekonomisë dhe Shkencave Shoqërore, me programet e studimit “Drejtësi”, “Ekonomi” dhe “Shkenca Politike”.

2- Fakulteti i Shkencave të Aplikuara, me programet e studimit “Inxhinieri Informatike”, dhe “Arkitekturë”.

Që në fillim të krijimit të tij, KUPV ka pasur si qëllim të jetë një universitet ndryshe. Ai e bazon punën e tij në eksperiencat më të mira perëndimore akademike. Studentët janë në qendër të vëmendjes në të gjitha aktivitetet dhe proceset. Mënyra e organizimit, jeta universitare, programet e studimit etj, kanë për qëllim të jenë të ngjashme me ato të eksperiencave më të mira perëndimore. 

KUPV që në fillim punoi sipas parimeve të Kartës Evropiane duke kombinuar këtë të fundit, me mënyrën e vlerësimit të sistemit amerikan. Kjo është bërë me qëllim që studenti i diplomuar në KUPV të ketë lexueshmëri dhe njohje të diplomës së tij në vende të ndryshme të botës qoftë për studime të mëtejshme, qoftë për punësim. Institucioni lëshon diploma të shkruara në gjuhën shqipe dhe vlerësimi shprehet sipas sistemit ECTS. 

Një tjetër veçori e tij është fakti se KUPV ka krijuar lidhje të vazhdueshme me komunitetin vlonjat, duke tentuar gjatë gjithë kohës të krijojë ura bashkëpunimi me institucionet rajonale të zhvillimit të Vlorës. 

Në këto shtatë vite eksperiencë, KUPV ka pësuar rritje dhe transformime cilësore dhe sasiore, horizontale dhe vertikale. Me hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë”, KUPV pësoj ndryshim, duke kaluar në Kolegji Profesional “Pavarësia Vlorë”. Me Urdhër nr. 586, datë 15.12.2016 të ministrit të Arsimit dhe Sportit u miratua Statuti i Kolegjit (KUPV).

Sot institucioni numëron 11 programe studimi aktive me profile përkatëse në të dy ciklet, mbi pesëqind studentë, 42 punonjës si personel akademik me kohë të plotë, dhe 12 punonjës si personel akademik me kohë të pjesshme (7 të jashtëm dhe 5 të ftuar). Në programin “Drejtësi” janë angazhuar si staf akademik të jashtëm edhe dy gjyqtarë me titull “Magjistër”, të cilët kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Struktura akademike është organizuar në dy njësi kryesore, dhe gjashtë njësi bazë, si më poshtë:

 

Njësi kryesore:

1. Fakulteti i Ekonomisë dhe Shkencave Shoqërore.

2. Fakulteti i Shkencave të Aplikuara.

 

Njësi bazë:

1. Departamenti i Ekonomisë;

2. Departamenti i Drejtësisë dhe Shkencave Politike;

3. Qendra Kërkimore e Shkencave Humane;

4. Departamenti i Inxhinierisë Informatike;

5. Departamenti i Arkitekturës;

6. Qendra Kërkimore e Shkencave të Aplikuara.

 

Theksojmë se dy qendrat kërkimore shkencore, si njësi bazë të fakulteteve, u krijuan me strukturën e vitit akademik 2016 - 2017, me Vendim nr. 20, datë 15.08.2016 të Senatit Akademik të SHPALPV, dhe filluan funksionimin si qendra menjëherë pas miratimit të Statutit, në përputhje me kërkesat e LAL.