Prof.Dr. Luan Gjonçaj,qysh prej vitit 1983  ka fituar gradat shkencor : “Kandidat i shkencave juridike”, “Doktor i shkencave”, titujt ”Docent” dhe në vitin 1999 “Profesor”. Gjatë karrierës së vet, Prof. Dr. Luan Gjonçaj ka punuar në poste të rëndësishme në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe diplomaci, Ministrinë e Drejtësisë, si Drejtor në Policinë e Burgjeve, etj. Karrierën akademike, Prof. Gjonçaj e ka nisur si pedagog dhe me vonë Drejtor i Akademisë së Policisë. Nga viti 2003, Prof. Gjonçaj ka punuar si pedagog i Kriminologjisë dhe Penologjisë në Universitetin Luarasi , më vonë Dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin jopublik “Justiniani I”  më pas  Rektor  i po këtij Universiteti; në vitin 2011 emërohet Dekan i Fakultetit të Shkencave Shoqërore dhe Drejtësisë në Universitetin Amerikan të Tiranës. Nga muaji Korrik 2014, Prof .Dr. Luan Gjonçaj emërohet Rektor i SHPAL “Pavarësia”. Për shume vite Prof. Gjonçaj ka qenë anëtar i komisionit për dhënien e gradave dhe titujve shkencorë, si dhe anëtar i jashtëm i komisionit te akreditimit.  Prof. Gjonçaj është autor dhe bashkëautor i shumë teksteve mësimorë, librave, si dhe i artikujve shkencorë, të cilët janë botuar në revista prestigjioze, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Ai është njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja.