Kreditet

Kreditet e çdo lënde mbajnë parasysh ngarkesën në orë mësimore në auditor, si dhe punën individuale që duhet kryer nga studenti për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të parashikuara në programin e lëndës. Një kredit i përket 25 orë përkushtim i  përbashkët për  studentin, nga të cilat rreth 9 - 10 orë (afërsisht 40 %) janë të rezervuara  për mësimdhënien në auditor (leksion, seminar dhe 15 - 16 orë (afërsisht 60%) për  studimin individual.

Studenti që ndjek  programet  studimi të ciklit të parë  duhet të marrë së paku 180 ECTS, nga të cilat 36ECTS i merr në kategorinë e disiplinave të formimit të përgjithshëm (bazë); 102 ECTS në kategorinë e disiplinave të formimit karakterizues të programit; 6ECTS në kategorinë e disiplinave formuese të ngjashme ose/dhe integruese ; 12 ECTS në kategorinë e disiplinave formuese të zgjedhura; 17 ECTS në kategorinë e veprimtarive formuese për njohje të gjuhës së huaj, aftësime informatike dhe 7 ECTS për punimin e diplomës.

Studenti që ndjek programin e studimeve të integruara të nivelit të dytë  duhet të marrë së paku 300 ECTS, nga të cilat 60ECTS i merr në kategorinë e disiplinave të formimit të përgjithshëm (bazë); 180ECTS në kategorinë e disiplinave të formimit karakterizues të programit; 36ECTS në kategorinë e disiplinave formuese të ngjashme ose/dhe integruese me disiplinat karakterizuese; 24ECTS në kategorinë e disiplinave formuese të zgjedhura; 18ECTS në kategorinë e veprimtarive formuese për njohje të gjuhës së huaj, aftësime informatike, praktika apo stazh dhe 10ECTS për punimin e diplomës.

Programet e  studimit ofrohen vetëm me kohë të plotë. Secila disiplinë ka lëndën apo grup-lëndët përkatëse të cilat janë të shprehura në orë mësimore si edhe në kredite. Numri i përgjithshëm i lëndëve ose grup-lëndëve të ciklit të parë së bashku me praktikën profesionale dhe punimin e diplomës janë 22 në 3 vite. Lëndët që do të jepen provim përgjithësisht kanë 5 deri në12 kredite.Për programet e integruara të nivelit të dytë numri i përgjithshëm i lëndëve ose grup-lëndëve të programit, së  bashku me praktikën mësimore dhe punimin e diplomës janë 35 në 5 vite.

 

Frekuentimi

Programet e  studimit janë  me kohë të plotë.

Frekuentimi i leksioneve është fakultativ.Në funksion të nxitjes së frekuentimit dhe angazhimit të studentëve gjatë orëve të leksionit, studentëve frekuentues të rregullt të leksioneve të lëndës u jepen pikë bonus, të cilat akordohen nga pedagogu i lëndës në fund të semestrit. Për të përfituar këto pikë studenti duhet të ketë qenë frekuentues i leksioneve të paktën në masën 90 %.

Frekuentimi i seminareve është i detyrueshëm në masën 75% të orëve të planifikuara në auditor. Studenti që tejkalon numrin e lejuar të mungesave, bazuar në këtë rregullore, humbet të drejtën për të hyrë në provimin përfundimtar përkatës dhe i nënshtrohet provimit në sezonet e riprovimeve.

Praktikat profesionale janë të detyrueshme të frekuentohen në masën jo më pak se 75% të orëve të planifikuara për praktikën profesionale,  pranë institucioneve përkatëse.