Në datën 18 Prill 2018, në sallën Aula Magna të Kolegjit Universitar “Pavarësia Vlorë” u organizua promovimi i librit “Dilema Kushtetuese II” me autor Magjistratin Florjan Kalaja. Pjesëmarrësit në këtë promovim ishin të shumtë. Pjesë e panelit në promovimin e këtij libri ishte edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, Z. Xhezair Zaganjori, i cili gjatë fjalës së tij evidentoi dhe trajtoi disa nga vlerat e veçanta që mbart libri. Florjan Kalaja si lektor i së drejtës proceduriale civile ndau librin e tij me pegagogët, studentët si dhe me të ftuarit në fushën e drejtësisë. Autori i librit “Dilema Kushtetuese II” trajtoi shkurtimisht për pjesëmarrësit çështje nga fusha të ndryshme të së drejtës, me fokus dhe këndvështrim në përballjen me standartet e së drejtës kushtetuese. Qëllimi i autorit në trajtimin e çështjeve të zhvilluara në libër është i dyfishtë, së pari zhvillimi i debatit doktrinar dhe jurisprudencial mbi të drejtën civile, administrative, publike, penale, etj, në varësi të fushës nga ku çëshjta objekt trajtimi mund të kategorizohet dhe paralelisht me të, zhvillimi i aplikuar i debatit doktrinar dhe jurisprudencial mbi të drejtën kushtetuese. Dilemat kushtetuese të trajtuara në nëntë krerë në librin janë:

  1. Dilema Kushtetuese pas shfuqizimit të paragrafit të pestë dhe të gjashtë të nenit 278 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë;
  2. Dilema Kushtetuese rreth nenit 291 Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë;
  3. Kafazet në gjykimin penal;
  4. Rikthimi i rekursit në interest të ligjit;
  5. Dilema kushtetuese mbi parashkrimin fitues;
  6. Dilema Kushtetuese mbi ankimin e masave të përkohshme proceduriale;
  7. Dilema Kushtetuese mbi nisjen e afatit të ankimit;
  8. Zgjidhja e çështjes “ Marini vs Albania”;
  9. Çështjet që nuk u njehsuan mbi dorëzaninë.

Edhe ky promovim si promovimet e mëparshme të Z. Kalaja ngjalli një interest të jashtzakonshëm tek të gjithë pjesëmarrësit. Në përfundim të këtij aktiviteti Z. Kalaja dhuroi disa kopje të librit “Dilema Kushtetuese II”  bibliotekës së Kolegjit Universitar “Pavarësia Vlorë” si vlerë e shtuar e saj.

FOTO GALERI