Në kuadër të aktiviteteve akademike, kërkimore dhe shkencore, në ambientet e Kolegjit Universitar “Pavarësia Vlorë”, më datën 28.03.2017, u mbajt një leksion i hapur me studentët dhe stafin akademik të Departamentit të Drejtësisë dhe Shkencave Politike.

Lektori i ftuar ishte z. Arlind AHMETAJ, ka përfunduar studimet me Medalje të Artë në Hagë, Bachelor of Laws (LL.B.), “E Drejta Ndërkombëtare dhe Europiane”, dhe në Mbretërinë e Bashkuar, Master of Laws (LL.M.), “Ligji i Konkurrencës”.

Aktualisht z. AHMETAJ ka fituar një bursë për ndjekjen e një programi nga Universiteti i Harvardit në USA, në lidhje me “Ndërtimin e mekanizmave dhe kapaciteteve për të bërë reforma”.

Referuesi Arlind AHMETAJ prezantoi para të pranishmëve dhe bashkëbisedoi me ta rreth temës “Morali i vrasjes” në këndvështrimin ligjor dhe moral, trajtuar në përputhje me 4 Konventat e Gjenevës, të 12 gushtit të vitit 1949, si dhe duke sjellë konsiderata për çështje të ndryshme penale në fushën e krimeve të luftës, nga eksperienca e tij si jurist në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.